Haaland u padit në polici pasi goditi maskotën e Manchester Cityt

Manchester City nuk po kalon një sezon të mirë, dhe për ta përkeqësuar situatën, golashënuesi më i mirë i ekipit, Erling Haaland, mund të përfundojë në polici pas një padie nga maskota e klubit.

Një grua, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, punon si maskotë e “Qytetarëve” dhe e ka paditur Haalandin, duke pretenduar se ka pësuar një tronditje të trurit për shkak të norvegjezit.

Sipas dëshmisë së saj, Haaland e kishte goditur disa herë me shaka në kokë para ndeshjes me Southamptonin që ishte zhvilluar në tetor.

Gruaja ka dhënë një intervistë për tabloidin britanik The Sun dhe thotë se nuk i është zgjatur kontrata e përkohshme sepse e ka raportuar incidentin.

“Kam qarë dhe isha shumë e tronditur. Më vonë e kuptova që ai m’u afrua nga pas, më goditi në kokë dhe më pas u mbështet mbi kokën time. Shefi i sigurisë qeshi dhe më tha që të paktën mund të mburrem se më ka goditur Haaland,” ka treguar ajo.

Personat përgjegjës për atë sektor i kishin ofruar të largohej dhe të mos punonte atë ditë, por ajo kishte refuzuar.

Ajo thotë se më pas kishte vjellë dhe kishte ndier dhimbje në qafë dhe kokë. Ka vizituar mjekun e klubit një ditë më pas dhe i është rekomanduar të shkonte në spital.

City ndërkohë ka nisur një hetim të brendshëm, janë shqyrtuar pamjet dhe në raport thuhet se Haaland e kishte prekur lehtë në kokë si përshëndetje dhe se kjo nuk mund t’i kishte shkaktuar dëmet që ajo pretendon.

Kategoritë
Sport