Habib nxori nga palestra yllin e ri të UFC-së sepse “dëshironte të dukej bukur për vajzat”

Ylli i ri rus i UFC-së, Sharaputin Magomedov, në një intervistë të fundit për mediat amerikane, ndau një anekdotë interesante në lidhje me të dhe palestrën ku stërvitet Habib Nurmagomedov.

I njohur si “Shara Bullet”, ai ishte dikur i përjashtuar nga palestra e Habibit, kur ende ishte gjallë babai i tij, Abdulmanap.

Magomedov shpjegoi se kishte shkelur një nga tre rregullat kryesore të palestrës së drejtuar nga Abdulmanap dhe Habib.

“Problemi ishte te flokët. Abdulmanap kishte tre rregulla të arta. Ai thoshte se për një sportist janë të rëndësishme tri gjëra – të mos dalë natën, të jetë i disiplinuar dhe të mos ketë flokë të gjatë. Unë gjithmonë kam pasur flokë të gjatë dhe, për të stërvitur atje, duhej të ishe i qethur shkurt,” tha Magomedov.

Ndërkohë që të tjerët ndryshuan pamjen e tyre për të stërvitur në këtë palestër prestigjioze, Magomedov vendosi që flokët e tij ishin diçka që nuk do ta “sakrifikonte”.

“Ju dëshironi të dukeni bukur për vajzat, por për një luftëtar kjo nuk duhet të jetë përparësi. Një sportist duhet të fokusohet në stërvitjen e tij, dhe vajzat do të vijnë vetë kur të fitosh tituj në nivelet më të larta,” kujton Magomedov fjalët e Abdulmanapit, i cili i kishte thënë se nuk kishte vend në atë palestër.

Abdulmanap besonte se luftëtarët, apo burrat në përgjithësi, nuk duhet të përpiqen të impresionojnë gratë, por të përqendrohen në suksesin e tyre, pasi gratë do të vijnë kur ata të fitojnë. Megjithatë, Magomedov mendonte ndryshe, duke besuar se mund t’i kishte të dyja.

Ky luftëtar nga Dagestani është ende i pamposhtur në karrierën e tij, me 15 fitore, katër prej të cilave në UFC.

Sfida e tij e ardhshme e pret këtë të shtunë në Riad të Arabisë Saudite, ku do të përballet me luftëtarin me përvojë Michael Venom Page.

Kategoritë
Sport