Habibi në janar e pret nata më stresuese e jetës: Shpresoj të mbijetoj

Organizata më e madhe në botë e MMA-së, UFC, planifikon ngjarje të mëdha për vitin e ardhshëm, dhe tashmë më 18 janar do të organizojë një event ku do të zhvillohen dy luftëra për titull, gjë që do të jetë një natë stresuese për ish-kampionin Habib Nurmagomedov.

Islam Mahaçev do të përpiqet për herë të katërt të mbrojë titullin në kategorinë e lehtë në ndeshjen kryesore të mbrëmjes, këtë herë kundër Arman Tsarukyan, të cilin e ka mundur tashmë në vitin 2019.

Umar Nurmagomedov, në ndeshjen e dytë më të rëndësishme të mbrëmjes, do të sfidojë Merab Dvalishvili për titullin në kategorinë bantam.

Mahaçev është pasardhësi dhe nxënësi i Habibit, ndërsa Umari është kushëriri i tij, kështu që dagestani i famshëm do të jetë në këndin e të dy luftëtarëve dhe do të përjetojë dramë në të dyja ndeshjet kryesore të mbrëmjes.

Habibi ka thënë disa herë se është shumë më stresuese të mbështesësh një luftëtar të afërt sesa të luftosh vetë.
“Dy ndeshje për titull në të njëjtën mbrëmje. Mendoj se kjo nuk ka ndodhur kurrë ose të paktën deri më tani. Çfarë nate më pret, shpresoj të mbijetoj,” ka shkruar Habibi në rrjetet sociale.

Kujtojmë që Habibi u tërhoq nga sporti katër vite më parë si kampion i kategorisë së lehtë, me një rekord të përsosur prej 29-0.

Kategoritë
Sport