Hadi Matar u shpall fajtor për sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie, rrezikon 25 vite burg.

Shtetasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hadi Matar, u shpall fajtor për therje me thikë dhe tentativë vrasjeje të shkrimtarit Salman Rushdie gjatë një ligjërate në një tubim letrar në New York në vitin 2022.

Juria në qarkun Chautauqua mori çështjen pasi avokatët paraqitën fjalët përfundimtare, duke përmbyllur dëshmitë shtatëditore që përfshinë edhe rrëfimin tronditës të Rushdie-t për momentet kur ishte i bindur se do të vdiste pasi një person me thikë e sulmoi në skenë.

Matar përballet me një dënim deri në 25 vite burg pasi u shpall fajtor për akuzat e tentativës për vrasje dhe sulm ndaj shkrimtarit me të cilin po bisedonte në skenë.

Vendimi u shpall pas më pak se dy orësh këshillimi. Gjykatësi caktoi datën 23 prill për shpalljen e dënimit.

Prokurori i qarkut, Jason Schmidt, paraqiti të premten në mëngjes për jurinë një incizim të ngadalësuar të sulmit, duke treguar sulmuesin që doli nga publiku, u ngjit shkallëve drejt skenës dhe vrapoi drejt shkrimtarit.

“Dua të shihni natyrën e paprovokuar të këtij sulmi”, tha Schmidt.

“Dua të shihni edhe natyrën e qëllimshme të sulmit. Aty kishte shumë njerëz atë ditë, por vetëm një person ishte shënjestra,” shtoi ai.

Ky sulm tronditës ndodhi më shumë se 35 vite pasi udhëheqësit fetarë iranianë shprehën zemërimin për mënyrën si ishte paraqitur Islami në romanin e tij Vargjet Satanike të vitit 1988.

Ndihmës avokati i mbrojtjes publike, Andrew Brautigan, i tha jurisë se prokuroria nuk kishte dëshmuar se Matar kishte për qëllim të vriste Rushdie-n. Ky dallim është i rëndësishëm në kontekstin e dënimit për tentativë vrasjeje. I akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

“Do të pranoni se diçka e keqe i ndodhi z. Rushdie, por nuk mund të dini cili ishte qëllimi i vetëdijshëm i z. Matar,” tha Brautigan.

Ndryshe, shkrimtari humbi shikimin në njërin sy nga sulmi dhe pësoi edhe dëmtime të tjera të përhershme.

Kategoritë
BotaLajme