Hajnat vjedhin ulësen nga shkolla në Prizren dhe tentojnë t’i marrin edhe shtyllat e portës së futbollit

Jo rrallëherë hajnat e persona të ndryshëm ua mësyjnë shkollave fillore e të mesme në vendin tonë, ku arrijnë të kryejnë vjedhje e të dëmtojnë pajisje të ndryshme shkollore. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në shkollën fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, hajnat kanë arritur të vjedhin një ulëse nga korridori i shkollës dhe më pas kanë dalë të marrin edhe shtyllat e portës së futbollit, por fatkeqësisht s’kanë arritur dhe janë larguar. Posa drejtoria e ka vërejtur se po mungonte ulësja, kanë njoftuar Policinë.

Ndërkohë kanë ofruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, ku është zbuluar se hajnat posa kanë kryer vjedhjen janë larguar nga dera e pasme e shkollës, por të cilët ende nuk janë identifikuar.

Drejtoresha e shkollës ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë në lidhje me rastin, teksa është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit, kurse veprimet tjera do të merren posa të kapen të dyshuarit.

Kategoritë
LajmeVendi