“Turkiye ka thënë shumë herë se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa siguri dhe sovranitet të barabartë për palestinezët”, tha Fidan.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se ngjarjet aktuale në Lindjen e Mesme tregojnë se lufta tre-mujore e Gazës po zgjerohet në diçka më të gjerë, raporton Anadolu.
“Nuk duhet të jetë çoritentuese të shihet se ajo që ndodhi në Detin e Kuq, Siri dhe Irak parashikon se spiralja e luftës në Gaza gradualisht do të kthehet në një vorbull më të madhe”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij kroat, Gordan Gërliq-Radman, të mbajtur në Ankara.
Fidan shtoi se Türkiye në platformat përkatëse ka thënë se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon pa siguri dhe sovranitet të barabartë për palestinezët.
“E ritheksoj edhe një herë se masakra çnjerëzore nga Izraeli duhet të ndalet menjëherë dhe duhet të hiqet bllokada e paligjshme e vendosur ndaj Gazës”, tha Fidan, duke shtuar se para syve të bashkësisë ndërkombëtare, më shumë se 24 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza.
Disa vende nuk hezituan ta përshkallëzojnë situatën aktuale në luftë, tha kryediplomati turk, duke shtuar se me përpjekjet intensive të Türkiyes dhe aleatëve të tjerë, është bërë përparim i rëndësishëm në krijimin e një gjuhe paqeje.
Türkiye do të bëjë çdo përpjekje, si politikisht ashtu edhe juridikisht, për të siguruar që Izraeli të përballet me pasojat e nevojshme për masakrat që ka kryer në komunitetin ndërkombëtar, shtoi ai.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulmi i Hamasit, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau 1.200 njerëz.
Të paktën 24.285 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 61.154 persona janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Sipas OKB-së, 85 për qind e popullsisë së Gazës është tashmë e zhvendosur brenda vendit për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Duke folur rreth luftës së Türkiyes kundër terrorizmit, Fidan tha: “Vendi ynë, i cili lufton me vendosmëri terrorizmin, pret që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht aleatët tanë, të demonstrojnë të njëjtën ndjeshmëri dhe vendosmëri”.
– Lidhjet turko-kroate
Kryediplomati turk u shpreh se vendi i tij, me lidhjet historike dhe kulturore, Kroacinë e konsideron si një vend mik që ka prioritet bashkëpunimin në rritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkan.
“Marrëdhëniet politike me Kroacinë janë në një nivel shumë të mirë”, tha ai.
Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, Fidan tha se qëllimi për arritjen e një vëllimi tregtar prej 1 miliard dollarësh u përmbush si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2023.
Ai theksoi objektivin aktual prej 2 miliardë dollarësh në tregti, duke nënvizuar nevojën për përdorim efektiv të mekanizmave institucionalë, veçanërisht të Komisionit të Përbashkët Ekonomik të vendeve.
Fidan shprehu kënaqësinë e rritjes së interesimit të kompanive turke në Kroaci, veçanërisht në sektorë të tillë ku janë të pranishme investime të konsiderueshme si turizmi, ndërtimi, transporti, bankat dhe energjia e rinovueshme.
Duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Ballkan në Türkiye dhe Kroaci, Fidan theksoi se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, së bashku me rritjen e prosperitetit, është në interes të të dy vendeve.
“Siç e dini, ne vazhdimisht theksojmë mbështetjen tonë për paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në çdo rast. Ne jemi shumë të kënaqur që respektojmë të njëjtin angazhim nga Kroacia”, tha Fidan.
Fidan theksoi gjithashtu nevojën për kontakte të vazhdueshme të nivelit të lartë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
– Marrëdhëniet Türkiye-BE
Për marrëdhëniet Türkiye-Bashkimi Evropian, ministri kroat, Radman tha: “Për ne, Türkiye është një vend kandidat për BE dhe do të mbetet një partner kyç për BE-në”, duke shtuar se Kroacia do të bëjë maksimumin për të siguruar që BE të ketë një dialog konstruktiv me Türkiyen.
Kroacia iu bashkua Bashkimit Evropian një dekadë më parë, në vitin 2013.
Türkiye, një kandidat zyrtar për t’u anëtarësuar në BE, aplikoi për anëtarësim në BE në 1987 dhe bisedimet e saj të pranimit filluan në 2005.
Sipas Ankarasë, në vitet që pasuan, bisedimet në thelb janë ngrirë për shkak të bllokimeve politike nga disa anëtarë të BE-së.