Hakerat rusë sulmojnë organizatat publike italiane pas vizitës së Melonit në Kiev

Hakerat rusë sulmuan portalet e internetit të organizatave publike italiane.

Sipas shtypit, faqet e internetit të Karabinierëve, Ministrisë së Jashtme italiane, Ministrisë së Mbrojtjes dhe organizatave bankare janë çaktivizuar përkohësisht ose kanë pasur probleme lidhjeje.

Në mesazhet e tyre hakerët i referohen deklaratave të djeshme të kryeministres italiane Giorgia Meloni nga Kievi, ku mbështeste Ukrainën në luftën ndaj Rusisë, ndërsa përmendet edhe “qëndrimi rusofobik” i Italisë.

Kujtohet se kryeministrja italiane Giorgia Meloni është takuar pasditen e së martës në kryeqytetin ukrainas me presidentin e vendit Volodymyr Zelensky. Duke folur me gazetarët pas përfundimit të bisedimeve të tyre, Meloni tha se “Italia ofron mbështetje të plotë për Ukrainën dhe se nuk do të hezitojë ta ndhmojë”.

“Italia do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e negociatave, por deri atëherë do të vazhdojë të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe sociale”, shtoi kreu i qeverisë italiane.

Megjithatë, ajo e bëri të qartë se “në këtë fazë asnjë avion ushtarak nuk do t’i dorëzohet Ukrainës dhe se ky është një vendim që duhet të merret së bashku me partnerët e tjerë”.

Kategoritë
BotaLajme