Hakohet faqja zyrtare e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se faqja zyrtare e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, në Facebook dhe Youtube është hakuar.Në këto faqe janë postuar video dhe foto ”të papërshtatshme”

Përmes një njoftimi nga BIK thuhet se publikimet gjatë këtyre ditëve nuk përbëjnë qëndrimet zyrtare të Këshillit.

“Të nderuar besimtarë, ju njoftojmë se faqja zyrtare e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, në Facebook dhe Youtube, ka disa ditë që nuk mirëmbahet nga personat përgjegjës të këtij Këshilli, si pasojë e vjedhjes së saj nga persona të pandërgjegjshëm. Andaj, si rrjedhojë, publikimet e bëra gjatë këtyre ditëve, nuk përbëjnë qëndrimet zyrtare të Këshillit”, thuhet në njoftim

Për këtë ka reaguar edhe kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Orhan Bislimaj, i cili përmes një postimi ka kërkuar nga organet kompetente të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprime të shpejta

”Njoftim me rëndësi!
Tash e sa ditë persona të pa njohur e kanë rrëmbyer faqen zyrtare të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, në facebook dhe youtube.
Prandaj, kërkojmë mirekuptimin e juaj për disa postime banale që ishin bërë në ‘story’ e që mund të ketë edhe të tjera.
Rastin menjëherë e kemi lajmëruar në Policinë e Kosovës.
Edhe njëherë po kërkojmë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprime të shpejta.
Po ashtu, kërkojmë ndihmë nga të gjithë profesionistët për rikthimin e faqes…!”
Kategoritë
LajmeVendi