Pas deklaratave të kontestuara të Trumpit gjatë takimit me Benjamin Netanyahun për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, erdhi edhe reagimi i parë nga Hamas.
Zyrtari i parë që reagoi ishte Sami Abu Zuhri, i cili tha se deklaratat e presidentit amerikan për marrjen nën kontroll të Gazës janë qesharake dhe absurde.
“Vërejtjet e Trumpit për dëshirën e tij për të kontrolluar Gazën janë qesharake dhe absurde, dhe çdo ide e tillë mund të ndezë rajonin,” tha Abu Zuhri.
Një deklaratë të ngjashme dha edhe anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Izzat al-Rashq.
“Deklaratat e Trumpit për kontrollin e Gazës pasqyrojnë konfuzionin dhe padijen e tij të thellë për Palestinën dhe rajonin. Gaza nuk është një tokë e përbashkët që ndonjë palë mund të vendosë ta kontrollojë, por është pjesë e tokës palestineze të okupuar. Çdo zgjidhje duhet të bazohet në përfundimin e okupimit dhe në realizimin e të drejtave të popullit palestinez, jo në mentalitetin e një tregtari pronash apo në logjikën e fuqisë dhe dominimit,” tha al-Rashq.
Zëdhënësi i Hamasit, Abdul Latif Al-Qanou, gjithashtu deklaroi se deklaratat amerikane janë të rrezikshme për palestinezët.
“Ato janë një përpjekje e dëshpëruar për të likuiduar çështjen e drejtë. Njerëzit që qëndruan të fortë për 15 muaj përballë makinerisë më të fuqishme ushtarake dhe ushtrisë më kriminale, dhe që penguan përpjekjen për zhvendosje, do të mbeten të lidhur me tokën e tyre dhe nuk do ta pranojnë planin për t’u zhvendosur,” deklaroi Al-Qanou.