Grupi palestinez Hamas ka njoftuar se do të lirojë Edan Alexanderin, një ushtar izraelit me shtetësi amerikane, dhe se do të dorëzojë trupat e katër pengjeve të tjera që kanë shtetësi të dyfishtë.
Sipas raportimeve të CNN, kjo është rezultat i negociatave të drejtpërdrejta midis Hamasit dhe administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Këto kontakte të drejtpërdrejta kanë shkaktuar tensione midis Uashingtonit dhe Tel Avivit, pasi të gjitha bisedimet e mëparshme ishin zhvilluar përmes ndërmjetësve, kryesisht Egjiptit dhe Katarit.
Marrëveshja përfundimtare u finalizua me ndihmën e përfaqësuesve të këtyre dy vendeve, por pikat kryesore të saj u arritën përmes kontakteve të drejtpërdrejta mes administratës amerikane dhe përfaqësuesve të grupit palestinez.
Alexander do të jetë ushtari i parë mashkull që Hamas liron pas armëpushimit të vendosur më 19 janar të këtij viti.
Gjithashtu, nga Shtetet e Bashkuara ka ardhur një propozim i ri për zgjatjen e armëpushimit edhe për një muaj tjetër. Sipas këtij plani, Hamas do të duhej të lironte pengje të tjera të mbajtura në Gaza që nga 7 tetori 2023.
Nëse ky propozim pranohet, Izraeli do të duhej të ndalonte bllokimin e ndihmave humanitare për Gazën, i cili u vendos në fillim të marsit.