Hamasi pranon propozimin egjiptian për formimin e komitetit të përbashkët palestinez për të drejtuar Gazën e pas-luftës

Hamasi tha se në Kajro zhvilloi bisedime të thella me grupin Fatah për të formuar një komitet për të drejtuar Gazën përmes zbatimit të kornizave të dakorduara më parë për të arritur unitetin palestinez

Grupi palestinez Hamas ka pranuar një propozim egjiptian për të formuar një komitet të përbashkët palestinez për të drejtuar Rripin e Gazës pas luftës së vazhdueshme izraelite, transmeton Anadolu.

Hamasi në një njoftim tha se në Kajro zhvilloi bisedime të thella me grupin Fatah për të formuar një komitet për të drejtuar Gazën përmes zbatimit të kornizave të dakorduara më parë për të arritur unitetin palestinez.

“Hamasi njoftoi miratimin e tij për një propozim egjiptian për formimin e një komiteti për mbështetjen e komunitetit që do të funksionojë përmes mekanizmave kombëtare gjithëpërfshirëse”, tha grupi palestinez.

Më tej, Hamasi tha se delegacioni i tij në Kajro gjithashtu zhvilloi bisedime me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), një grup tjetër palestinez, për të diskutuar zhvillimet në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Takime të tjera, theksoi Hamasi, u zhvilluan me figura të shquara palestineze ku u ndanë përditësimet mbi diskutimet me Fatahun dhe propozimin egjiptian.

Që nga viti 2007, një ndarje gjeografike dhe politike ka vazhduar midis Hamasit dhe Fatahut, me ndërmjetësime dhe marrëveshje të shumta rajonale dhe ndërkombëtare që nuk kanë arritur të kapërcejnë hendekun.

Kjo përçarje e vazhdueshme ka fragmentuar qeverisjen palestineze, me Hamasin që kontrollon Gazën dhe Autoritetin Palestinez, të udhëhequr nga Fatah, që administron pjesë të Bregut Perëndimor.

Izraeli nisi një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit nga Hamasi në tetor të vitit 2023, duke vrarë të paktën 44.600 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 105.700 të tjerë.

Tashmë në vitin e dytë, gjenocidit në Gaza ka tërhequr një dënim ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që denoncuan sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje e qëllimshme për të shkatërruar popullatën.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën vdekjeprurëse në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme