Tre të burgosurit izraelitë që do të lirohen në raundin e 6-të të shkëmbimit të pengjeve që do të mbahet më 15 shkurt janë Alexandre Sasha Troufanov, Sagui Dekel-Chen dhe Yair Horn
Hamasi ka bërë të ditur emrat e tre pengjeve izraelite që do të lirohen nesër në kuadër të marrëveshjes me Izraelin për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Brigadave Kassam, krahut ushtarak të Hamasit, Abu Obaida, njoftoi se tre të burgosurit izraelitë që do të lirohen në raundin e 6-të të shkëmbimit të pengjeve që do të mbahet më 15 shkurt janë Alexandre Sasha Troufanov, Sagui Dekel-Chen dhe Yair Horn.
Dihet se nga të burgosurit, Chen është shtetas i dyfishtë amerikano-izraelit dhe Troufanov është një shtetas ruso-izraelit.
– Vendimi i Hamasit për të pezulluar shkëmbimin e pengjeve
Abu Obaida, zëdhënësi i Brigadave Kassam, krahu ushtarak i Hamasit tha se shkëmbimi i pengjeve i cili pritej të bëhej më 15 shkurt është pezulluar me arsyetimin se Izraeli nuk i ka përmbushur angazhimet e tij në marrëveshjen e armëpushimit.
Në deklaratën e Hamasit thuhet se vendimi i pezullimit u njoftua pesë ditë përpara shkëmbimit të pengjeve dhe se në këtë mënyrë vendeve ndërmjetëse u është dhënë mundësia për të ushtruar presion ndaj Izraelit për t’iu përmbajtur kushteve të armëpushimit.
Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se nëse të gjithë të burgosurit në Gaza nuk lirohen deri në mesditën e së shtunës, armëpushimi duhet të anulohet, duke shtuar: “Pastaj le të shpërthejë ferri”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kërcënoi se “armëpushimi do të përfundojë dhe sulmet e dhunshme do të fillojnë” nëse pengjet izraelite nuk lirohen dhe urdhëroi ushtrinë të dërgojë përforcime brenda Gazës dhe përreth saj.
Pasi vendet ndërmjetësuese u angazhuan për heqjen e pengesave të Izraelit lidhur me marrëveshjen e armëpushimit, Hamasi njoftoi dje se do të vazhdojë të zbatojë shkëmbimin e pengjeve në kuadër të marrëveshjes.
Në pesë raundet e para të shkëmbimit të pengjeve, u liruan 766 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite si dhe 16 pengje izraelite dhe 5 tajlandezë në Gaza.