Grupi konfirmoi vdekjen e Mohammed Deifit, komandantit të krahut të tij ushtarak, së bashku me udhëheqës të tjerë ushtarakë të rangut të lartë si Marwan Issa, Ahmed Al-Ghandour dhe Ayman Nofal
Grupi palestinez Hamas ka publikuar një listë me 16 zyrtarë të lartë nga byroja e tij politike që u vranë gjatë luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, përfshirë Ismail Haniyehn, Yahya Sinwarin dhe Saleh Al-Arourin, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar sot, grupi konfirmoi gjithashtu vdekjen e Mohammed Deifit, komandantit të krahut të tij ushtarak, së bashku me udhëheqës të tjerë ushtarakë të rangut të lartë si Marwan Issa, Ahmed Al-Ghandour dhe Ayman Nofal.
Hamasi “lavdëroi liderët e rënë për rolin e tyre në luftën e rezistencës kundër Izraelit” dhe u zotua se “vdekja e tyre nuk do ta dobësojë rezistencën”.
Më 19 janar hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, faza e parë e së cilës është planifikuar të zgjasë 42 ditë, gjatë së cilës negociatat do të vazhdojnë për fazat pasuese të marrëveshjes. Marrëveshja ndërmjetësohet nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e SHBA-së.
Lufta gjenocidale e Izraelit ka vrarë më shumë se 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.000, që nga 7 tetori 2023.
Sulmet izraelite në Gaza kanë lënë më shumë se 11.000 njerëz të zhdukur, shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.