“Qeveria izraelite duhet të mbahet përgjegjëse për krimet dhe shkeljet që ka kryer kundër popullit të Palestinës dhe të rajonit”, thuhet në deklaratën e Hamasit
Hamasi deklaroi se SHBA-ja është përgjegjëse për masakrat e vazhdueshme kundër palestinezëve në kuadër të gjenocidit që Izraeli po kryen në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Hamasi bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmin e kryer nga Izraeli në shkollën “Al-Mufti”, ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur, në kampin e refugjatëve Nusayrat, që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, i cili mori të paktën 22 jetë.
Në deklaratë thuhet se “Armiku sionist nuk do të guxonte të vazhdonte masakrat e tmerrshme në Rripin e Gazës dhe t’i përhapte ato në rajon nëse administrata amerikane nuk i mbulonte krimet e saj dhe nuk do të kishte heshtje ndërkombëtare”.
Gjithashtu i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe OKB-së “të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore dhe morale dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar sulmet e vazhdueshme”.
“Qeveria izraelite duhet të mbahet përgjegjëse për krimet dhe shkeljet që ka kryer kundër popullit të Palestinës dhe të rajonit”, thuhet në deklaratën e Hamasit.
Në deklaratë, sulmi ndaj shkollës “Al-Mufti” u cilësua si “vazhdim i politikës fashiste të Izraelit për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në qendrat e azilit dhe gjenocidit të tij brutal kundër popullit palestinez”.
Raportohet se të paktën 22 palestinezë, mes tyre 15 gra dhe fëmijë, u vranë dhe 80 të tjerë u plagosën në sulmin e ushtrisë izraelite dje në shkollën “Al-Mufti” ku ishin strehuar mijëra palestinezë të zhvendosur, në kampin e refugjatëve Al-Nusayrat i vendosur në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.