Hamasi sot liroi gjithsej tetë persona, tre izraelitë dhe pesë punëtorë tajlandezë

Ushtarja Agam Berger iu dorëzua Kryqit të Kuq në zonën Al-Razan në kampin e refugjatëve Jabalia, ndërsa Arbel Yehud dhe Gadi Mozes u liruan në qytetin Khan Younis

Grupi palestinez i rezistencës, Hamas, sot liroi tre robër të tjerë izraelitë në Gaza sipas marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin, raporton Anadolu.

Ushtarja Agam Berger iu dorëzua përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në zonën Al-Razan në kampin e refugjatëve Jabalia në pjesën veriore të Gazës.

Dy robër të tjerë, Arbel Yehud dhe Gadi Mozes, u liruan gjithashtu dhe iu dorëzuan Kryqit të Kuq në qytetin Khan Younis që ndodhet në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Gjithashtu, pesë punëtorë tajlandez u liruan gjatë dorëzimit. Ndryshe, dorëzimi u bë para rrënojave të shtëpisë së ish-liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.

Ushtria izraelite konfirmoi se ishte njoftuar nga Kryqi i Kuq se Yehud, Mozes dhe pesë shtetas tajlandezë iu dorëzuan atyre.

Ushtria më herët konfirmoi se ushtarja Berger u lirua dhe u transferua në Izrael.

Gjatë dorëzimit të saj, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq u ngjitën në skenë për të nënshkruar një protokoll për lirimin e ushtares.

Faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes së armëpushimit hyri në fuqi më 19 janar, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë më shumë se 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.000 që nga 7 tetori 2023.

Dhjetë robër izraelitë janë liruar deri më tani në këmbim të 290 të burgosurve palestinezë, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Gjatë ditës së sotme, rreth 110 të burgosur palestinezë pritet të lirohen nga burgjet izraelite.

Sipas fazës së parë të marrëveshjes, 33 robër izraelitë do të lirohen në këmbim të rreth 1.700 deri në 2.000 të burgosurve palestinezë.

Lufta gjenocidale e izraelit në Gaza ka lënë më shumë se 11.000 njerëz të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve, në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste në nëntor të vitit të kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Kategoritë
BotaLajme