Hamasi thotë se Izraeli nuk është serioz në negociatat për armëpushim në Gaza

“Çdo propozim i paraqitur tek ne që plotëson kërkesat e popullit tonë, i jep fund vuajtjeve të tij dhe ndalon plotësisht agresionin izraelit, jo përkohësisht, ne do të vazhdojmë me të pa hezitim”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan

Grupi palestinez i rezistencës, Hamas, tha se Izraeli nuk i merr seriozisht negociatat për armëpushimin në Gaza, transmeton Anadolu.

Duke folur për kanalin televiziv Al-Aqsa të drejtuar nga Hamas, zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, tha se Izraeli nuk ofron ndonjë propozim të vërtetë dhe “përfundimisht nuk është serioz në negociatat”.

“Çdo propozim i paraqitur tek ne që plotëson kërkesat e popullit tonë, i jep fund vuajtjeve të tij dhe ndalon plotësisht agresionin izraelit, jo përkohësisht, ne do të vazhdojmë me të pa hezitim”, tha Hamdan.

Ai shtoi se Izraeli nuk është në gjendje të thyejë rezistencën palestineze pavarësisht luftës njëvjeçare në enklavë. Izraeli ka vrarë më shumë se 43.200 njerëz në Gaza dhe e ka bërë atë të pabanueshme që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023.

Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA, Egjipti dhe Katari për një armëpushim të përhershëm deri më tani kanë dështuar, kryesisht për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndalur luftën.

Grupi palestinez i rezistencës thotë se nuk do të pranojë asnjë propozim armëpushimi që nuk përfshin një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza dhe një fund të armiqësive.

Një delegacion izraelit u kthye nga Doha këtë javë, ndërsa zyra e kryeministrit izraelit që se diskutimet midis ndërmjetësve dhe Hamasit do të vazhdojnë në ditët në vijim për të “vlerësuar realizueshmërinë e bisedimeve dhe përpjekjet e vazhdueshme për të avancuar një marrëveshje”.

Kategoritë
BotaLajme