Hamza flet për procedurat: LVV-së i takon të provojë ta bëjë qeverinë e re, nëse s’mundet, opozita mundet

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza tha se procedurat tash janë “të qarta” për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare.

PDK-ja, ai tha se do ta presë partinë e parë, në këtë rast LVV-në, që të provojë ta formojë qeverinë e re. Nëse ajo dështon, Hamza tha se atë opozita mund ta bëjë këtë.

“Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptarë duan një qeveri të re. Procedurat janë të qarta: partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet. Ne këtë procedurë e respektojmë. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve, mund ta bëjë qeverinë e re”, tha ai.

Hamza tha se po presin përfundimin e rezultateve për të kuptuar se sa ulëse në Kuvend do të ketë secila parti.

Pasi t’i kuptojnë këto, ai tha se do ta presin përpjekjen e partisë së parë e më pas të negociojnë me partitë opozitare për formimin e qeverisë së re.

Ai tha se nuk do të përfshihen “në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”

Kategoritë
LajmeVendi