Hamza paralajmëron se do t’i bëjë “hapat e nevojshëm” për qeverinë e re: Shumica e shqiptarëve s’e duan më këtë aktualen

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza tha në një konferencë për media se shumica e shqiptarëve “nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë”.

Ai tha në një konferencë për media se qytetarët nuk iu përgjigjën thirrjes së kryeministrit Albin Kurti për “500 mijë vota” dhe tha se PDK-ja do ta respektojë “vullnetin e shumicës së qytetarëve për ndryshim” duke ndërmarrë “hapat e nevojshëm” për formimin e qeverisë së re.

“Qytetarë të dashur, si rezultat i votës suaj, sot është një ditë më ndryshe se dje. Vullneti juaj u shpreh qartë në zgjedhjet e djeshme. Lëvizja Vetëvendosje ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar në të kaluarën, tashmë veç ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën kryesisht tek ne në PDK dhe te Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Hamza.

“Kryeministri në detyrë i paraqiti këto zgjedhje si një referendum për veten dhe qeverinë e tij, por qëllimi nuk arrit. Ai kërkoi 500 mijë vota, por nuk i mori. Nuk ia dhanë qytetarët. Sot, shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan, nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Qytetarët me vullnetin e tyre politik i kanë besuar opozitës, prandaj në kë to zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare. Kjo më obligon mua dhe Partinë Demokratike, si partia më e madhe opozitare që të sillemi në mënyrë të përgjegjshme për ta respektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve për ndryshim”, shtoi ai.

Hamza tha se nuk do të përfshihen “në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”

“Kemi dallime të mëdha. Ata duan pushtet absolut, nuk kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe nga studiot televizive për debate”, tha ai.

Hamza i falënderoi qytetarët për zgjedhjet “e rregullta, fer dhe pa probleme”. Sjellja e tyre tha se ishte “shembullore”.

“I falënderoj edhe partitë tjera që garuan në këto zgjedhje dhe i uroj për rezultatet e tyre”, tha ndër tjerash ai.

Kategoritë
LajmeVendi