Hapen qendrat e votimit në Mal të Zi, qytetarët zgjedhin presidentin e ri

Presidenti i Malit të Zi zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme, drejtpërdrejt dhe me votim të fshehtë, për 5 vjet.

Në Mal të Zi sot mbahen zgjedhjet presidenciale ku qytetarët e këtij vendi zgjedhin kreun e ri të shtetit, raporton Anadolu.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votimit deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 542.154 qytetarë.

Shtatë kandidatë marrin pjesë në zgjedhjet e sotme presidenciale, të tetat që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi dhe të katërtat që nga shpallja e pavarësisë.

I pari në listë është lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe kreu aktual i shtetit Milo Gjukanoviq ndërsa i dyti në fletëvotim është Jakov Milatoviq, nënkryetar i Lëvizjes “Evropa Tani”.

Kandidati i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq është në vendin e tretë në votim, ndikuesi Jovan Raduloviç është në vendin e katërt dhe Goran Daniloviç, lideri i Malit të Zi të Bashkuar, është në vendin e pestë. Lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiq është në vendin e gjashtë në listën zgjedhore, ndërsa kandidatja e Partisë Socialdemokrate (SDP) Draginja Vuksanoviq-Stankoviq është në vendin e shtatë.

Zgjedhjet e sotme monitorohen nga vëzhguesit e OSBE-së si dhe qindra vëzhgues nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CEMI).

Në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në vitin 1990 në Mal të Zi, fitoi Momir Bullatoviq, si dhe në të tjerat, të mbajtura në vitin 1992/93. Milo Gjukanoviq fitoi në zgjedhjet e vitit 1997. Filip Vujanoviq fitoi zgjedhjet presidenciale në vitet 2003, 2008 dhe 2013. Në zgjedhjet e vitit 2018 fitoi sërish Milo Gjukanoviq.

Presidenti i Malit të Zi zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme, drejtpërdrejt dhe me votim të fshehtë, për 5 vjet. President i Malit të Zi do të zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të vlefshme të votuesve që kanë votuar. Nëse asnjë kandidat nuk e merr atë numër votash, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve brenda 14 ditësh.

Kategoritë
LajmeRajoni