Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Kosovë

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke folur për turizmin tha se numri i turistëve në Kosovë katër vjetët e fundit ka shënuar rritje për 50 për qind, krahasuar me periudhën 2017–2020

Është hapur në Prishtinë Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2025”, raporton Anadolu.

Në panair marrin pjesë mbi 340 kompani vendore dhe ndërkombëtare të industrisë së turizmit nga vendet e rajonit, Evropës, por edhe nga e gjithë bota, përfshirë kompani nga Türkiye, të cilët po prezantojnë ofertën e tyre turistike.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke folur për turizmin në Kosovë, tha se numri i turistëve në Kosovë katër vitet e fundit ka shënuar rritje për 50 për qind, krahasuar me periudhën 2017–2020.

“Vetëm në këtë mandat gjatë vitit 2021-2024 kemi rritje për 50 për qind të numrit të turistëve në krahasim me vitet 2017-2020. Prandaj, me përkushtim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, miratuam strategjinë e turizmit 2030 me vizion të qartë që ta zhvillojmë Kosovën si një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon”, theksoi Hajdari.

Hajdari tha se bashkëpunimet ndërkombëtare dhe organizimi i ngjarjeve promovuese kanë ndikuar në rritjen e dukshme të turizmit dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës, derisa shtoi se “bukuritë natyrore duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme, duke ofruar përvoja mbresëlënëse për të huajt”.

Edhe kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se viti i kaluar në Kosovë u mbyll me një rritje prej 36.8 për qind në numrin e turistëve dhe shprehu pritjet që edhe ky vit të jetë i suksesshëm.

“Filluam këtë panair me 60 kompani para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 kompani nga 16 shtete, jo vetëm nga Ballkani dhe Evropa, por nga e gjithë bota. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanadaja, Norvegjia, Austria dhe shumë vende tjera”, theksoi Hoti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, tha se Prishtina e sheh turizmin si një sektor me rëndësi. “Për këtë arsye edhe ne kemi ndarë buxhet për të investuar në sektorin e turizmit. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis edhe më të favorshëm për investime të ndryshme dhe zhvillim të këtij sektori”, theksoi Rama.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2025”, i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës, do të jetë edhe nesër, më 11 prill.

Kategoritë
LajmeVendi