Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit

Në panair po marrin pjesë me ofertat e tyre turistike kompani nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Türkiye, Bullgaria, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Italia

Në qendrën sportive “1 Tetori” në Prishtinë është hapur Panairi Ndërkombëtar i Turizmit me mbi 200 kompani pjesëmarrëse nga 10 shtete të Evropës, raporton Anadolu.

Në panairin e organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës nën patronatin e Komunës së Prishtinës, po marrin pjesë me ofertat e tyre turistike kompani nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Türkiye, Bullgaria, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Italia.

Sipas organizatorëve, qëllimi i panairit është promovimi i turizmit dhe traditave të vendeve përkatëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila mori pjesë në hapjen e panairit, tha se turizmi kontribuon në zhvillimin e një vendi.

Ajo tha se Kosova e ka potencialin e jashtëzakonshëm turistik me pika të ndryshme kulturore, lokalitete arkeologjike dhe objekte kulti.

“Ka ende shumë punë për t’u bërë në sferën e turizmit. Në këtë rrafsh dua ta përmend digjitalizimin e destinacioneve turistike i cili është një ndër synimet kryesore të institucioneve të Kosovës. Ne duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë e paketave turistike të Evropës jo vetëm të Ballkanit duke bërë të mundshme që turistë nga vende të ndryshme të globit nga të gjitha kontinentet, ta kenë destinacion edhe vendin tonë”, theksoi Osmani.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovë, Baki Hoti tha se Kosova ka bërë përparim në organizimin e ngjarjeve të tilla si panairi i turizmit.

Ai tha se qëllimi i panairit është që të bëhet promovimi i turizmit, traditave dhe vlerave të vendeve pjesëmarrëse.

“Me qëllim që Kosova të përfshihet sa më shumë në paketat ballkanike dhe kështu të kemi sa më shumë numër vizitorësh”, theksoi Hoti.

Panairi, në të cilin po marrin pjesë rreth 20 kompani nga Turkiye do të jetë i hapur për publikun deri të shtunën, më datë 18 mars 2023.

Kategoritë
LajmeVendi