Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur sot thirrjen e parë publike për aplikim për mësimdhënësit që synojnë të marrin Licencën e Avancuar për Mësimdhënie, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka quajtur një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe avancimit të performancës së mësimdhënësve në shkollat e vendit.
“Për arsim më cilësor me mësimdhënës të përgatitur për gjeneratat që po vijnë, sot Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur thirrjen e parë publike për aplikim për mësimdhënësit që synojnë të marrin Licencën e Avancuar për Mësimdhënie. Një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit dhe avancimit të performancës së mësimdhënësve në shkollat e vendit. Të gjitha ato e ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës”, ka shkruar Kurti.
Ndërsa, ministria e Arsimit Arbërie Nagavci në një postim në rrjetin social Fcaebook ka njoftuar se thirrja vlenë për mësimdhënësit e profileve, si mësues të arsimit fillor, mësimdhënës të lëndës “Matematikë” në Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) dhe Arsimin e Mesëm të Lartë (AML), mësimdhënës të lëndës “Gjuhë shqipe” në Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) dhe Arsimin e Mesëm të Lartë (AML).
Ajo ka njoftuar se aplikimi mund të bëhet përmes platformës e-kosova nga sot deri më 19.12.2024.
“Të gjitha ato/ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës. Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim”, ka shkruar Nagavci.