Hapet zjarr ndaj automjetit të ambasadorit turk në Sudan, nuk ka të vdekur ose të plagosur

Siç njoftohet, autorët e sulmit ende nuk dihen

Në Sudan, ku po vazhdojnë përleshjet mes ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), është hapur zjarr ndaj automjetit të ambasadorit të Türkiyes në Khartoum, İsmail Çobanoğlu, ndërsa nga incidenti nuk ka pasur persona të vrarë apo të lënduar, njoftuan burime diplomatike, transmeton Anadolu.

Siç njoftohet, autorët e sulmit ende nuk dihen.

Përleshja mes ushtrisë dhe RSF-së në Sudan

Mosmarrëveshjet e muajve të fundit u përshkallëzuan midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake rreth integrimit të RSF-së në forcat e armatosura, që është kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, që u cilësua nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sudanit kishte njoftuar se gjenerali Abdulfettah al-Burhan, Kryetar i Këshillit të Sovranitetit dhe Komandanti i Ushtrisë, vendosi të shpërbëjë RSF-në, e cila u përplas me ushtrinë, dhe ta shpallë atë “forcë rebele kundër shtetit”.

Të paktën 551 persona kanë humbur jetën dhe 4.926 janë plagosur nga përleshjet e armatosura deri më tani, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Forcat paramilitare RSF u krijuan në vitin 2013 për të mbështetur forcat qeveritare kundër rebelëve në rajonin e Darfurit.

Kategoritë
BotaLajme