Haradinaj: Lidershipi aktual e ka pamundësuar që anëtarësimi i Kosovës në NATO të jetë temë diskutimi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se prioritet i të gjitha prioriteteve për qeverisjen aktuale dhe atë që vjen pas duhet të jetë anëtarësimi në NATO.

Haradinaj në një postim në Facebook, ka thënë se lidershipi aktual e kanë pamundësuar që çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO të jetë pjesë e diskutimeve.

“I mrekullueshëm do të ishte lajmi sikur Kosova të ishte në tavolinat ku do të diskutohej për anëtarësimin e saj në NATO! Por fatkeqësisht politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Udhëheqja e sotme e Kosovës apo cila do që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO. Ata që nuk e mbështesin këtë synim shtetëror të Kosovës, jo vetëm që janë shkurtpamës por nuk e dijnë pse i mbajnë postet që i kanë”, ka shkruar Haradinaj.

Megjithatë, ai ka thënë se pjesëmarrja e presidentes Osmani në Samitin e NATO-s është nder për Kosovën ku është shprehur mirënjohës ndaj vendeve aleate për ftesën.

Në ShBA sot do të mbahet samiti i NATO-s.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi