Haxhiu: Ftesa e Prokurorisë ndaj Kurtit është jashtëzakonisht tendencioze

Ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistim të kryeministrit Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po e konsideron përpjekje për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Duke e përmendur rastin e rezervave shtetërore, ajo thotë se ftesa ka mundur të bëhet më herët.

Ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistim të kryeministrit Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po e konsideron përpjekje për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Duke e përmendur rastin e rezervave shtetërore, ajo thotë se ftesa ka mundur të bëhet më herët.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për KosovaPress thotë se Prokuroria Speciale po zhvillon “një luftë speciale” kundër qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.“Rasti i rezervave shtetërore ka ndodhur gjegjësisht para më shumë se 1 viti, dhe ishte e çuditshme se si prokuroria në kohën kur kryeministri Kurti, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesia e LVV-së diskutonin për listën e kandidatëve për deputetë, njoftohem nga kryeministria që për të paska ardhur një ftesë në cilësinë e dëshmitarit në raport me këtë rast. Sigurisht që nuk ishte diçka e habitshme, por në fakt është një tregues i qartë i luftës speciale që kjo prokurori po e bënë kundrejt kryeministrit Kurti, dhe në përgjithësi qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, ne e shohim si veprim të qëllimshëm pikërisht në këtë kohë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Dhe pikërisht qëllimi është të dëmtohet Lëvizja Vetëvendosje me këto ftesa nga ana e Prokurorisë Speciale, sepse një gjë e tillë, nëse është dashur të ndodh, atëherë ka mundur të ndodh shumë më herët, sepse ju e dini që ky rast ka nisur që më shumë se një vit, vitin e kaluar”, thotë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, kjo ftesë është tendencioze.

Kryeministri nuk u paraqit sot në prokurori, siç parashihej në ftesë, me arsyetimin se ndodhet në një udhëtim jashtë vendit – të planifikuar më herët.

Më vonë, Zyra e Kurti tha se “kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

Këtë, Haxhiu e konsideron si diçka “normale nëse Prokuroria Speciale dëshiron dëshminë e Kurtit për rastin penal për të cilën është ftuar”.

“Po nëse prokurorët duan që të marrin dëshminë e kryeministrit ai i mirëpret në zyrën e tij. Pra, kjo është kërkesa që kryeministri e ka bërë, prandaj nëse janë të interesuar për të ditur më shumë në raport me këtë çështje besoj që është e rëndësishme që të tregojnë se kur mund të shkojnë tek kryeministri, natyrisht kur kryeministri Kurti është në Kosovë dhe sigurisht që më duket shumë diçka normale dhe nuk e besoj që ka nevojë për diskutime e rëndësishme, është që nëse ata janë të interesuar për ta marr dëshminë e kryeministrit Kurti, mund ta bëjnë këtë“, thotë Haxhiu.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi tha se paraditen e së hënës janë njoftuar se kryeministri e ka të pamundur paraqitjen në këtë institucion. Ajo tha se do të përgatitet një tjetër ftesë për Kurtin.

Pas deklarimit të Prokurorisë Speciale, nga Qeveria e Kosovës thanë se Kurti ka shprehur gatishmërinë “t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

Më 11 dhjetor Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e kishte ftuar kryeministrin, Albin Kurti për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit për një rast penal.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi