Në Kuvendin e Kosovës sot është miratuar Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Pas kësaj ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Ligji i votuar sot për Këshillin Prokurorial të Kosovës është reformë e shumë pritur.
Haxhiu tha se ky Ligj do ta ri-organizojë Këshillin Prokurorial – me eliminim të korporatizmit dhe grupeve klanore në Këshill, e me rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizmit në sistem.
“Ndryshimet e votuara sot në lexim të dytë në Kuvend, janë bërë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ndër të tjera ka thënë se mbetën të përkushtuar në rrugën reformuese, për një sistem llogaridhënës e profesional.
“Mbetemi të përkushtuar e të angazhuar në rrugën tonë reformuese, për një sistem llogaridhënës e profesional, të besueshëm dhe të pandikueshëm, e të qasshëm për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar Haxhiu. /Lajmi.net/