Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lirimit të disa prej serbëve të arrestuar në Prizren dhe Gjakovë, duke theksuar se ky veprim është shqetësues dhe i paarsyeshëm, raporton GazetaBlic.
Ajo ka theksuar se në grupin e 12 serbëve të arrestuar në Prizren, kishte individë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe, dhe se këta arrestime kishin lidhje të drejtpërdrejta me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë.
“Në Prizren 10 prej 12 u liruan që atë ditë sepse nuk kishte kërkesë për paraburgim, ndërkohë sot qenkan liruar edhe dy. Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm.” – tha Haxhiu.
Ministrja theksoi shqetësimin e saj për lehtësinë e lirimit të këtyre personave dhe për nënvlerësimin e aksioneve të institucioneve të sigurisë, që kishin siguruar fakte dhe dëshmi të mjaftueshme për arrestimin e tyre. Ajo vuri në dukje gjithashtu shpenzimin e resurseve dhe kohës nga institucionet e sigurisë dhe rrezikun për punonjësit e këtyre institucioneve, pa pasur rezultate.
“Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?!” – shtoi Haxhiu, duke ngritur pyetje në lidhje me forcën e ligjit dhe drejtësisë në këtë rast.