Heqja e ndalesës për mallrat serbe, BE-ja e mirëpret: Funksionimi i tregut të përbashkët, pjesë integrale e planit të rritjes

Bashkimi Europian ka mirëpritur vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës së mallrave serbe.

Zyra e BE-së në Kosovë përmes një komunikate për media tha se tregtia e lirë është çelësi për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal e ky është “pjesë integrale e planit të rritjes”.

“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdarit. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal, i cili është pjesë integrale e planit të rritjes. Për të mirën e njerëzve dhe të bizneseve!”.

Kryeministri Albin Kurti dje tregoi se kanë marrë vendimin për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia vetëm në pikën kufitare të Merdarit. Ndërkaq, për pikat e tjera, ai tha se po pret skanerët, të cilët do të shërbejnë për kontroll më të rreptë të mallrave serbe që hyjnë në Kosovë.

Ai tha se kjo masë është e mjaftueshme që Kosova të jetë e suksesshme në CEFTA dhe në Samitin e Procesit të Berlinit.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dje tha se kanë mirëpritur këtë vendim. Po ashtu, edhe ambasadori francez, Olivier Guerot, shprehu të njëjtin qëndrim si të kolegut gjerman.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi