Hera e fundit në 2008/ Real Madridi i shënon 4 gola Barcelonës për herë të parë pas 15 vitesh

Mbrëmjen e djeshme, Real Madrid bëri një përmbysje spektakolare në “El Clasico” ndaj Barcelonës duke mundësuar kështu finalen e Kupës së Mbretit në të cilën do të ndeshet ndaj Osasunës.

Ndeshja e parë në Bernabeu përfundoi me rezultatin 0-1, ndërsa dje në Camp Nou, Real Madrid bëri mrekullinë duke fituar 0-4. Ndeshja ishte me tension të lartë që në minutat e para dhe kartonat e verdhë nuk munguan. Këtë hark kohor të parë Reali e mbylli në avantazh me rezultatin 1-0 falë golit të Vinicius Jr të asistuar nga Benzema.

Në pjesën e dytë ishte sulmuesi francez që hodhi poshtë të gjitha qortimet e marra gjatë këtyre javëve, duke shënuar një tripletë magjike në Camp Nou. Ajo që duhet theksuar është rezultati me 4 gola të shënuar nga “Los Blancos”. Real Madrid nuk kishte shënuar të paktën katër gola në “El Clasico” ndaj Barcelonës që prej majit të vitit 2008 në ndeshjen e La Ligas e cila përfundoi me rezultatin 4-1, dhe për herë të parë në Camp Nou në janar të vitit 1963 në fitoren 5-1.

Por cila është fitorja më e madhe ndonjëherë në “El Clasico”.

Në qershor të vitit 1943, u zhvillua një nga “El Clasico-t” më të çmendura ndonjëherë kur Real Madrid mposhti Barcelonën me rezultatin 11-1 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Copa del Generalismo.

Barcelona kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-1 dhe u fut në lojë e sigurt. Por, në momentin që ra bilbili i përfundimit të pjesës së parë, rezultati ishte 8-0.Në pjesën e dytë Reali shënoi edhe tre gola të tjerë duke hapur kështu zyrtarisht rivalitetin më të madh historik në Spanjë.

Kategoritë
Sport