Hetimi amerikan: Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë

“Ne jemi të përkushtuar të kërkojmë përgjegjësi duke përdorur çdo mjet në dispozicion, përfshirë ndjekjet penale”, tha shefi i diplomacisë amerikane

SHBA-ja ka përcaktuar zyrtarisht se forcat ruse kanë kryer krime lufte gjatë luftës që po vazhdon në Ukrainë, njoftoi Sekretari i Shtetit Antony Blinken, transmeton Anadolu Agency (AA).

Njoftimi vjen pas një rishikimi të brendshëm ligjor brenda Departamentit të Shtetit që Blinken tha se vlerësoi informacione nga burime publike dhe inteligjenca amerikane.

Informacionet përfshinin “raporte të shumta të besueshme të sulmeve joselektive dhe sulmeve ndaj civilëve, si dhe mizorive të tjera”, tha kryediplomati amerikan.

“Forcat ruse kanë shkatërruar ndërtesa banimi, shkolla, spitale, infrastrukturën kritike, automjete civile, qendra tregtare dhe ambulanca, duke lënë mijëra civilë të pafajshëm të vrarë ose të plagosur”, tha Blinken në një deklaratë.

“Shumë nga vendet që kanë goditur forcat ruse kanë qenë qartë të identifikueshme si në përdorim nga civilët”, shtoi ai.

“Qeveria e SHBA-së do të vazhdojë të gjurmojë raportet e krimeve të luftës dhe do të ndajë informacionet që mbledhim me aleatët, partnerët dhe institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, sipas rastit. Ne jemi të përkushtuar të kërkojmë përgjegjësi duke përdorur çdo mjet në dispozicion, përfshirë ndjekjet penale”, tha shefi i diplomacisë amerikane.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka hasur në reagime ndërkombëtare, ku BE-ja, SHBA-ja dhe Britania, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 977 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe 1.594 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se numri i saktë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë pasi nuk ka qenë në gjendje të ketë akses në zonat e konfliktit.

Mbi 3,62 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët

Kategoritë
BotaLajme