Kompania ka pezulluar fluturimet në disa qytete ruse, si Mineralnye Vody, Soçi, Volgograd, Ufa, Samara, Saratov, Nizhny Novgorod dhe Vladikavkaz
Kompania ajrore “Azerbaijan Airlines” njoftoi se sipas rezultateve paraprake të një hetimi, një “ndërhyrje e jashtme fizike dhe teknike” shkaktoi rrëzimin e avionit të saj “Embraer 190” në Kazakistan këtë të mërkurë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në Telegram, thuhet se për këtë arsye, duke filluar nga e shtuna, kompania ka pezulluar fluturimet në disa qytete ruse, si Mineralnye Vody, Soçi, Volgograd, Ufa, Samara, Saratov, Nizhny Novgorod dhe Vladikavkaz.
“Ky vendim, i marrë në përputhje me Autoritetin Shtetëror të Aviacionit Civil të Azerbajxhanit, bazohet në rezultatet paraprake të hetimit për rrëzimin e avionit ‘Embraer 190’ që po kryente fluturimin Baku-Grozny ‘J2-8243’ të ‘Azerbaijan Airlines’ për shkak të ndërhyrjes së jashtme fizike dhe teknike dhe merr parasysh rreziqet e mundshme për sigurinë e fluturimit. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimit final”, thuhet në deklaratë.
Kompania shtoi se pezullimi i saj i fluturimeve në qytetet Grozny dhe Makhachkala, në fuqi që nga e mërkura, po vazhdon.
“Për arsye sigurie, është marrë një vendim për të pezulluar fluturimet e linjave të tjera ajrore në destinacionet e përmendura, përfshirë Groznyn dhe Makhachkalan”, tha ajo.
Kompania njoftoi se pasagjerët e “Azerbaijan Airlines” drejt dhe nga qytetet e specifikuara në Rusi, të cilët nuk janë në gjendje të përdorin shërbimet e linjës ajrore për shkak të situatës aktuale, kanë të drejtë për rimbursim të plotë pa penalitete ose të rirezervojnë biletat e tyre.
Një avion i “Azerbaijan Airlines” që po udhëtonte nga Baku në qytetin Grozny në Republikën Çeçene të Rusisë u rrëzua të mërkurën pranë qytetit Aktau të Kazakistanit, që ndodhet në brigjet e Detit Kaspik, me 67 persona në bord.
Zyrtarët e Kazakistanit kanë thënë se 38 persona kanë humbur jetën në aksident, ndërsa 29 kanë mbijetuar.