Hetimi u hap gati një vit pas ngjarjes së turpshme kundër politikanit kontrovers danezo-suedez i njohur për djegien e Kuranit

Suedia nisi një hetim kundër politikanit kontrovers danezo-suedez Rasmus Paludan, i njohur për provokimet me djegien e Kuranit.

Hetimi u hap gati një vit pas ngjarjes së turpshme. Prokurori kompetent, Adrien Combier-Hogg, tha se për arsye teknike është dashur gati një vit për të nisur hetimet.

Paludan tha për gazetën “Dagens Nyheter” se për arsye sigurie nuk do të shkojë në Suedi për t’u marrë në pyetje.

Gazeta, megjithatë, theksonte se policia suedeze ka një plan të detajuar se si marrja në pyetje mund të kryhet në mënyrë të sigurt.

Më 21 janar të këtij viti, një politikan i ekstremit të djathtë dogji një kopje të Kuranit përpara ambasadës turke në Suedi gjatë një programi të sanksionuar nga policia.

Disa ditë më vonë, ai bëri të njëjtën gjë përpara një xhamie në Danimarkë dhe njoftoi se do të digjte një kopje të librit të shenjtë mysliman çdo të premte derisa Suedia të pranohej në aleancën e NATO-s.

Kujtojmë se Turqia, Arabia Saudite dhe një sërë vendesh e organizatash arabe dhe myslimane e kanë dënuar djegien e Kuranit, duke e cilësuar aktin provokim dhe nxitje kundër myslimanëve.

Ndër ata që e dënuan ashpër incidentin ishte edhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.

Kreu i saj Hissein Brahim Taha dënoi “veprimet provokuese të djegies së kopjeve të Kuranit të Shenjtë gjatë demonstratave anti-myslimane, të cilat u zhvilluan në Linköping, Norrkoping dhe qytete të tjera në Suedi”.

Organizata pan-muslimane tha se zjarrvënia ngjalli shqetësimin e myslimanëve mbi “një prirje alarmante islamofobie të përjetësuar nga mbështetësit e ekstremit të djathtë”.

Kategoritë
BotaLajme