Hezbollahu konfirmon “martirizimin” e Hassan Nasrallah-it në sulmin ajror izraelit

“Sejjid Hassan Nasrallah, sekretar i përgjithshëm i Hezbollahut, i është bashkuar shokëve të tij martirë të mëdhenj dhe të pavdekshëm, rrugën e të cilëve e udhëhoqi për rreth 30 vjet, duke u bërë martir në rrugën për në Kuds dhe Palestinë”

Grupi libanez Hezbollah ka njoftuar se sekretari i përgjithshëm i grupit, Hassan Nasrallah, është “martirizuar” pas asaj që e përshkroi si një “sulm tradhtar sionist” në periferitë jugore të Bejrutit, transmeton Anadolu.

“Sejjid Hassan Nasrallah, sekretar i përgjithshëm i Hezbollahut, i është bashkuar shokëve të tij martirë të mëdhenj dhe të pavdekshëm, rrugën e të cilëve e udhëhoqi për rreth 30 vjet, duke u bërë martir në rrugën për në Kuds dhe Palestinë”, tha Hezbollahu.

Grupi libanez theksoi udhëheqjen me dekada të Nasrallah-it në rezistencën kundër Izraelit, duke shtuar se përkushtimi i tij për kauzën e çlirimit palestinez përcaktoi jetën e tij dhe tani “martirizimin”.

Nasrallah, i cili ka qenë sekretar i përgjithshëm i Hezbollahut që nga viti 1992, luajti një rol kyç në lëvizjen e rezistencës libaneze, veçanërisht në konfrontimet e saj me forcat izraelite.

Vdekja e tij shënon një moment të rëndësishëm në konfliktin e vazhdueshëm midis Hezbollahut dhe Izraelit.

Në fund të njoftimit të grupit libanez ri-konfirmoi përkushtimin e grupit ndaj misionit të Nasrallah-it, duke theksuar se, “Martirizimi i tij vetëm do të forcojë vendosmërinë e rezistencës për të vazhduar luftën kundër armikut sionist dhe për të çliruar Palestinën”.

Më herët, ushtria izraelite tha se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ishte “likuiduar” gjatë një operacioni që shënjestroi komandën qendrore të Hezbollahut që ndodhej nën një ndërtesë banimi në periferitë jugore të Bejrutit.

Që nga e hëna e kaluar, ushtria izraelite ka nisur sulmin e saj “më intensiv dhe më të gjerë” ndaj Libanit që nga fillimi i konfrontimeve të saj me Hezbollahun rreth një vit më parë.

Si kundërpërgjigje, Hezbollahu ka gjuajtur qindra raketa në objektet ushtarake izraelite, vendbanimet, madje edhe selinë e Mossad-it në Tel Aviv.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ku janë vrarë të paktën 41.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e kthimit të konfliktit të Gazës në një luftë rajonale.

Kategoritë
BotaLajme