Hiri i 8000 viktimave të nazizmit gjendet në një varr masiv në Poloni

Një varr masiv që përmban 17.5 ton hi njerëzor është zbuluar në veri të Polonisë, afër ish-kampit nazist të përqendrimit të Soldaut.

Tomasz Jankowski nga Instituti Kombëtar i Kujtesës së Polonisë tha se varri përmbante të paktën 8.000 viktima.

Trupat mendohet se janë djegur nga nazistët dhe hiri i tyre është hedhur në një varr masiv për të fshehur gjurmët e vrasjeve të tyre.

Nazistët vranë hebrenj, kundërshtarë politikë dhe anëtarë të elitës polake në Soldau.

Kampi i përqendrimit u ndërtua në vitin 1939 për internim dhe shfarosje dhe u përdor gjatë gjithë pushtimit nazist.

Deri në 30.000 njerëz mendohet se janë vrarë atje dhe studiuesit shpresojnë që nga analizat e ADN-së të mbetjeve të zbulojnë më shumë rreth viktimave.

Mes polakëve që u vranë ishin anëtarë të klerit dhe inteligjencës. Arkeologët kanë gjetur gjurmë veshjesh  dhe sendesh të tjera, por asgjë me vlerë, që tregon se viktimat ishin zhveshur përpara se të digjeshin.

Kategoritë
BotaLajme