Historike marrëveshja në Siri: Rebelët dhe dezertorët e Assad-it ndërtojnë një ushtri të re, shpërbëhen fraksionet

Faktikisht sunduesi i Sirisë, Ahmad al-Shara, është marrë vesh me udhëheqësit e fraksioneve rebele që morën pjesë në rrëzimin e regjimit të presidentit Bashar al-Assad për shpërbërjen e të gjitha grupeve të armatosura dhe përfshirjen e tyre në Ministrinë e re të Mbrojtjes.

Lajmi për këtë është raportuar sot nga agjencia Reuters, duke iu referuar një deklarate të udhëheqjes së re siriane.

Shara dhe qeveria kalimtare nën drejtimin e grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) po përpiqen të shmangin konfliktet e mundshme mes fraksioneve të ndryshme.

Në deklaratë nuk është e qartë se cilat grupe specifikisht janë bashkuar me marrëveshjen. Në veri të vendit vazhdojnë përplasjet midis Ushtrisë Kombëtare Siriane të mbështetur nga Turqia.

Kryeministri i qeverisë kalimtare, Muhammed Bashir, javën e kaluar njoftoi ristrukturimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ushtria e re do të përbëhet nga luftëtarët e fraksioneve rebele dhe ushtarët që dezertuan nga ushtria e regjimit të Assad-it.

Të shtunën, në postin e ministrit të mbrojtjes është emëruar Murhaf Abu Kasra, një komandant i shquar ushtarak i HTS-it. Ai deklaroi javën e kaluar për agjencinë AFP se të gjitha grupet e armatosura siriane do të shpërbëheshin, dhe njësitë e tyre do të përfshiheshin në “institucionin e ardhshëm ushtarak”. Ai shtoi se HTS do të ishte grupi i parë që do ta bënte këtë.

Regjimi i Assad-it u rrëzua më 8 dhjetor, pasi rebelët e HTS-it në fund të nëntorit nisën një ofensivë kundër forcave qeveritare. Assad mori postin e presidentit të Sirisë në vitin 2000, pas vdekjes së babait të tij Hafez al-Assad, i cili kishte qeverisur vendin që nga viti 1971. Në Siri është vendosur një qeveri kalimtare nën udhëheqjen e HTS-it, e cila do të qeverisë vendin deri më 1 mars 2025.

Kategoritë
BotaLajme