Homazhe për viktimat e masakrës në Cetinjë të Malit të Zi

Me rastin e masakrës që ndodhi të premten në Cetinjë, ku u vranë 11 persona, sot në godinën e Qeverisë në Cetinjë është mbajtur seancë komemorative për viktimat.

Me rastin e masakrës që ndodhi në Cetinjë të premten, ku mbetën të vrarë 11 persona, sot në godinën e Qeverisë në Cetinjë është mbajtur seancë komemorative për viktimat, raporton Anadolu Agency (AA).

Homazhet filluan me një minutë heshtje për viktimat ndërsa u tha se Cetinja nuk është e vetme në zinë e saj dhe se i gjithë Mali i Zi është në zi.

“Tragjedia në Cetinjë, në të cilën 11 persona humbën jetën të premten, është një paralajmërim për të gjithë që të bëjnë gjithçka që një ngjarje e tillë tragjike të mos përsëritet më”, tha kryetari i komunës së Prijestonicës, Nikola Gjurashkoviq. Ai theksoi se një tragjedi e përmasave të pashembullta goditi Cetinjën dhe Malin e Zi dhe i la të gjithë të shokuar.

“Që para dy ditësh, qyteti ynë është kapluar nga trishtimi dhe tronditja, që viktimat e pafajshme humbën jetën pa asnjë faj në një sulm të pamend. Një ditë e tillë nuk mbahet mend”, tha Gjurashkoviq.

Ai tha se nuk ka fjalë për t’u shprehur ngushëllime familjeve.

Nënkryetari i Kuvendit të Prijestonicës, Mirko Staniq tha se Cetinja është në trishtim si asnjëherë më parë.

“Cetinja është si kurrë më parë e bashkuar në dhimbje me një ndjenjë të sinqertë trishtimi që na prek të gjithëve”, tha Staniq.

Ai tha se Cetinja nuk është e vetme në zinë e saj, se i gjithë Mali i Zi është në zi. Staniq falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe shtoi se mbështetja nga qytetet e tjera do të thotë shumë.

“Malin e Zi, si shumë herë deri më tani, fatkeqësisht e bashkoi trishtimi”, tha Staniq.

Në homazhe morën pjesë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri Dritan Abazoviq, kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, ministra të shumtë në Qeverinë e Malit të Zi, përfaqësues të autoriteteve lokale si dhe familjarë të viktimave të tragjedisë.

Në të shtënat që ndodhën të premten, në lagjen Medovina të Cetinjës, afër godinës së Qeverisë, mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre edhe sulmuesi Vuk Boriloviq (34), ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.

Në mesin e viktimave ishin dy fëmijë.

Me rastin e tragjedisë në Cetinjë, në Mal të Zi është shpallur tri ditë zie.

Kategoritë
LajmeRajoni