Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që Kosova ta kthejë në tavolinë marrëveshjen e Washingtonit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë gjatë kohës kur Donald Trump ishte President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Gazeta Metro.
Hoti ka thënë që Kosova i ka humbur katër vite nën qeverisjen e Vetëvendosjes, ndërsa ka thënë që projektet infrastrukturore të parapara në atë marrëveshje janë me interes të lartë për Kosovën.
Postimi i plotë i tij:
QEVERIA E ARDHSHME DUHET TË KTHEJË FOKUSIN TEK MARRËVESHJA E WASHINGTONITBesoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020. Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve.
Pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare. Në anën tjetër, hekurudhora për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit, dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore.
Katër vite kanë humbur. Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë. Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës.