Gjykata Themelore në Mitrovicë më 6 dhjetor 2021 e ka hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit B.M., për shkak se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për veprën penale “Hyrje në sisteme kompjuterike”.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se bazuar në shkresa të lëndës, i pandehuri dyshohej se veprën penale e ka kryer në muajin shtator të vitit 2015 dhe që nga koha e kryerjes së asaj vepre penale e deri tani (kur është marrë vendimi) kanë kaluar mbi 6 vite, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në nenin 106 par.1 nënpar.1.5 të KPPK-së, është përcaktuar se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim. Ndërsa, neni 107, par.8 përcakton se, ndjekja penal ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale)”, thuhet në aktgjykim.
Ndërsa, theksohet se në rastin konkret, M., është akuzuar se ka kryer veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, par.1 të KPRK-së, ku përcaktohet se dënimi është me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet, ndërsa vepra penale dyshohet se është kryer në shtator të 2015-ës, e që nga ajo kohë ka kaluar dyfishi i kohës që kërkohet për arritjen e parashkrimit, pra ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Parashkrimi absolut në këtë rast penal, ka arritur me datën 30.09.2021, ngase brenda kësaj periudhe kohore nuk ka përfunduar ndjekja penale”, thuhet në aktgjykimin e Themelores.
Andaj, gjykata konstaton se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe se aktvendimi mbi parashkrimin absolut është bazuar në kuptim të nenit 106, par.1, nënpar.1.5 dhe nenit 107, par.8 të KPPK-së, si dhe nenit 358 të KPP-së.
Në vendimin e marrë nga gjyqtari Gëzim Ademi, thuhet se shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës, ndërsa pala e dëmtuar për realizmin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, më 22 mars 2019 e kishte shpallur fajtor M., duke e dënuar me 7 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë. Ndërsa, Apeli në procedurë ankimore, sipas ankesës së mbrojtjes së M., më 19 shtator 2019, e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar.
Por, Gjykata Supreme në seancën e mbajtur më 21 janar 2020, mori aktgjykim me të cilin aprovoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së M., dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe ai i Gjykatës së Apelit, u anuluan dhe çështja i ishte kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të ngritur më 11 maj 2016, B.M., akuzohej se në fund të muajit shtator të vitit 2015 pa autorizim dhe në mënyrë që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme për vete, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ka hyrë në sistemet kompjuterike të tjetrit, me ç’rast ka shkatërruar të dhënat dhe programet kompjuterike.
Sipas aktakuzës, i pandehuri ka pretenduar të jetë drejtor i OJQ-së të cilën e ka themeluar e dëmtuara N.F., dhe pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarën, në shenjë revolte i ka thyer fjalëkalimet e e-mailave zyrtarë të dëmtuarve N.F., A.G., B.S dhe A.H.
Duke u bazuar në aktakuzë, i pandehuri i ka thyer edhe e-mailat e uebfaqeve www.filmfreeway.com, në të cilën gjendet në gjithë filmat e festivalit në OJQ-në e të dëmtuarës N.F. Aty thuhet se i pandehuri ka thyer edhe uebfaqet dhe www.bridgefilmfest.net me çka ka pamundësuar qasjen e të dëmtuarve për t’i kryer aktivitetet e tyre në OJQ-në “BridgeFilmFest”.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, parag.1 të KPRK-së.