Humb jetën nxënësja e plagosur në të shtënat në shkollën fillore në Beograd

Me këtë numri i viktimave nga të shtëna masive në shkollën fillore të Beogradit rritet në dhjetë

Në Klinikën e Fëmijëve në Tirshova të Beogradit mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e cila u plagos rëndë nga të shtënat masive në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” më 3 maj, konfirmoi për mediat serbe Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.

Vajza e plagosur rëndë pas të shtënave masive në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” është viktima e dhjetë e të shtënave të ndodhura më 3 maj.

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, pacientja e cila po trajtohej në Klinikën Universitare të Fëmijëve në Tirshova me lëndime të rënda në kokë, të rrezikshme për jetën, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm pavarësisht ndërhyrjes urgjente kirurgjikale dhe të gjitha masave të trajtimit intensiv.

Ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq, në emër të saj dhe në emër të Ministrisë së Shëndetësisë i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së vajzës së ndjerë.

Në të shtënat masive në shkollën në lagjen Vraçar, më 3 maj, një djalë trembëdhjetë vjeçar, nxënës i klasës së shtatë të kësaj shkolle, qëlloi dhe vrau tetë nxënës dhe një roje shkolle, ndërsa një mësuese dhe gjashtë nxënës u plagosën, mes tyre edhe vajza që ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

Kategoritë
LajmeRajoni