Më 23 shkurt do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në Gjermani dhe, nëse nuk ndodh ndonjë surprizë e madhe, Friedrich Merz do të zgjidhet kancelar. Kjo do të jetë hera e parë në karrierën e tij politike, të mbushur me disfata të ndryshme, që ai do të arrijë një fitore të madhe.
Pas shpërbërjes së qeverisë relativisht jopopullore të udhëhequr nga SPD-ja, së bashku me të Gjelbrit dhe FDP-në, në fund të vitit 2024, u bë e qartë se CDU-ja po rikthehej në pushtet, me Merzin në krye.
Sondazhet parazgjedhore, si dhe premtimet e partive që nuk do të bashkëpunojnë me të djathtën ekstreme të AfD-së, tregojnë se Merz do të marrë mandatin për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve dhe do të mbyllë në mënyrë simbolike dekada të tëra humbjesh politike.
Anëtar i fuqishëm i “Paktit të Andeve”
Historia politike e Friedrich Merzit fillon në vitin 1972, kur ai, si 17-vjeçar, u bë anëtar i krahut të ri të CDU-së. Tetë vite më vonë, ai u bë kryetar i këtij krahu të ri të partisë dhe në fund të viteve 1980 fitoi zgjedhjen e tij të parë për në Parlamentin Evropian.
Karriera e tij e vërtetë politike filloi kur ai u zgjodh në Bundestagun gjerman më 1994, ku u bë një anëtar i rëndësishëm i partisë, duke arritur në pozitat e nënkryetarit dhe kryetarit të grupit parlamentar të opozitës.
Progresi i tij i shpejtë në parti i atribuohet pjesërisht “Paktit të Andeve”, një grup joformal politikanësh të rinj të CDU-së, të cilët u lidhën politikisht dhe privatisht gjatë një udhëtimi në Andet e Amerikës së Jugut.
Disfatat nga Angela Merkel e shënuan karrierën e tij
Megjithatë, Angela Merkel u bë kundërshtarja kryesore e këtij klani të fuqishëm. Ajo u zgjodh kancelare më 2005 dhe pak para kësaj u bë kryetare e CDU-së. Marrëdhënia mes tyre, ku Merkel ishte fituesja dhe Merz mbetej gjithmonë i dyti, e përcaktoi karrierën e tij për më shumë se 15 vjet.
Merz humbi vazhdimisht përballë Merkelit, si brenda parlamentit ashtu edhe brenda partisë. Fraksioni i tij, që konsiderohej më konservator, gjithmonë dilte i humbur në përplasjet politike. Për këtë arsye, ai u tërhoq nga politika nga viti 2009 deri më 2018, duke kaluar për herë të parë në sektorin privat. Ai u rikthye pasi Merkel njoftoi dorëheqjen nga kreu i CDU-së.
Humbjet e vazhdueshme edhe pas largimit të Merkel-it
Pas një pauze të gjatë, Merz pësoi një tjetër disfatë kur Annegret Kramp-Karrenbauer fitoi ndaj tij në raundin e dytë të votimit për kryetar të CDU-së. Tre vite më vonë, pas një tjetër humbjeje për partinë, Merz humbi sërish në përpjekjen për t’u bërë lider, kur Armin Laschet fitoi me një epërsi të vogël në raundin e dytë.
Në përpjekjen e katërt, Merz më në fund bëhet kryetar i partisë
Në dhjetor të po atij viti, Merz më në fund fitoi mbështetjen e 62% të anëtarëve të partisë dhe mori drejtimin e CDU-së, duke premtuar një ndryshim të kursit politik që kishte ndjekur Merkel.
Që nga fillimi i vitit 2022, ai ka punuar për të përmbushur këtë premtim, duke e rikthyer CDU-në në krye të politikës gjermane mes problemeve të shumta të koalicionit qeverisës.
A do t’i kushtojë bashkëpunimi me AfD-në?
Merz ka propozuar një ligj të rreptë për migracionin, që analistët e krahasojnë me qëndrimet e ekstremit të djathtë, duke nxitur kritika nga kundërshtarët politikë. Megjithëse ai ka hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me AfD-në, mbështetja e kësaj partie për ligjin e tij ka shkaktuar komplikime të mëtejshme.
Angela Merkel ka shfrytëzuar rastin për ta kritikuar Merzin, duke i prishur muajt e parë të drejtimit të tij në CDU.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se Merz është në pozitën më të mirë për t’u bërë kancelar i ardhshëm, duke i dhënë mundësinë që më në fund të tregojë nëse mund të jetë një lider më i mirë se kundërshtarja e tij e përhershme.
Nëse ai arrin të stabilizojë Gjermaninë pas krizave politike dhe ekonomike, Merz mund të mbetet në histori në të njëjtin nivel me Merkelin. Në të kundërt, ai do të mbahet mend si – humbësi i përhershëm.