Hungaria në pritje të kërkesës së Kosovës për ekstradimin e serbit të arrestuar për vrasjen e 33 civilëve

Hungaria i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që të dërgojnë kërkesën për ekstradimin e serbit S.S, i cili u arrestua në Budapest si i dyshuar për vrasjen e 33 civilëve gjatë vitit 1999-të në lagjen “Kristal” në Pejë.

Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim për Klankosova.tv nga Prokuroria Metropolitane e Budapestit.

Po ashtu prokuroria hungareze ka kërkuar më shumë informacione lidhur me rastin.

Zëvendës-zëdhënësi i Prokurorisë hungareze, Rab Ferenc Levente, tha se dokumentet e kërkuara mund të dërgohen deri më 26 nëntor kur edhe përfundon afati i masës së arrestit për ekstradim.

Tutje në përgjigje theksohet se me marrjen e kërkesës, ekstradimi merr formë të prerë.

Zyrtari për informim shtoi se ministri i Drejtësisë i Hungarisë, ka të drejtë të vendosë mbi ekstradimin.

“Gjykata hungareze kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të dërgojnë kërkesën për ekstradim dhe të japin më shumë informacione. Dokumentet e kërkuara mund të dërgohen deri më 26 nëntor 2022 kur skadon afati i masës së arrestit për ekstradim”.

“Me pranimin në kohë të kërkesës për ekstradim, plotësohen kushtet dhe urdhri për ekstradimin e të arrestuarit merr formën e prerë, atëherë ministri i Drejtësisë i Hungarisë ka të drejtë të vendosë mbi ekstradimin”.

Serbi 48-vjeçar, u arrestua dje si i dyshuar për krime të luftës në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Urdhërarresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të dyshimeve për krime të luftës të kryera kundër popullatës civile në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi