“I dalim zot vendit”, Vuçiq i reagon minstrit Sveçla

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, pasi në një intervistë në T7 ka thënë se Kosova nuk më është e dobët dhe është në gjendje që t’i dalë zot vendit.

“Populli shqiptar nuk është ai populli i dobët atëherë, e Kosova s’është e shtypur e as okupuar sikur atëherë. Jemi shtet i pavarur dhe kemi institucione që janë të gatshme që t’i dalin zot vendit të vet dhe kemi aleatët më të mirë që kemi pasur ndonjëherë”, ka thënë Sveçla.

Vuçiq ka thënë se ka paralajmëruar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar dhe u ka thënë të mendojnë se për çfarë po vijnë në Beograd, referuar deklarimeve të ministrit Xhelal Sveçla.

Vuçiq ka thënë se do të flasë më shumë për situatën në Kosovë pas takimit të nesërm me këshillin kombëtar të sigurisë.

“Mendoja se gjërat në rendin juridik ndërkombëtar bazoheshin në respektimin e normave juridike publike, Kartën e OKB-së, Rezolutat e OKB-së, dokumentet e nënshkruara në Bruksel, dhe tani e kuptoj, dhe është mirë që serbët, të gjithë qytetarët e kombësisë serbe, dhe këtë duhet ta dëgjojë e gjithë bota, se bazohen në dëshirën e dikujt për të sunduar mbi dikë dhe mbi diçka, kjo është deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme në Prishtinë, i cili tha se ata sundojnë dhe do të sundojnë në tërë Kosovën. Mendova se do të thoshte diçka për ligjin, për Marrëveshjen e Brukselit, për Rezolutën 1244, për Kartën e OKB-së, dhe ai flet për dominimin. E dini, ka pasur gjithmonë shumë zotër të huaj mbi popullin tonë, pak prej tyre kanë mbetur, dhe sa do të qëndrojnë këta zotër, do ta shohim”, ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiq e ka cilësuar si “arrogancë” qasjen e ministrit Xhelal Sveçla.

“Ata me të vërtetë duan arrogancën, mbrëmë i paralajmërova përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe negociatorët dhe i thashë, mendoni me çfarë po vini në Beograd se ne nuk do ta tolerojmë këtë dhe ndryshe nga ata që kërcënojnë të marrin pushtetin ne vetëm themi – ju lutemi respektoni normat publike dhe juridike ndërkombëtare dhe asgjë më shumë se kaq” ka thënë kreu i shtetit serb.

Kategoritë
LajmeVendi