I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, vizitoi sot në mëngjes Rripin e Gazës, sipas raporteve të mediave hebraike, përpara takimeve me zyrtarët në Izrael të planifikuara për sot pasdite.
Televizioni izraelit Kan transmetoi pamje të eskortës së tij duke lënë Rripin e Gazës.
I dërguari amerikan ndodhet në rajon për të zhvilluar bisedime mbi fazën e dytë të marrëveshjes për të burgosurit dhe armëpushimin në Gaza, që hyri në fuqi javën e kaluar.
Witkoff ka konfirmuar angazhimin e tij për arritjen e fazës së dytë, mes shqetësimeve se Izraeli mund të rifillojë luftimet pas përfundimit të fazës së parë.
Shtatë të burgosur izraelitë janë liruar në kuadër të marrëveshjes aktuale, e cila parashikon lirimin e 33 të ashtuquajturve “pengje humanitare” që janë mbajtur në Gaza gjatë fazës së parë 42-ditore të saj, me një ndërprerje të luftimeve në zonë.