“I detyruam të largohen nga parlamenti”, Berisha mbyll protestën e opozitës

Protesta e opozitës e mbajtur këtë të hënë në ambientet e jashtme të parlamentit është mbyllur. Vendimi u mor nga kreu i PD Sali Berisha pasi u mbyll edhe seanca plenare në parlament për shkak të tensioneve të krijuara në sallë.

“Së pari, dua të ju falënderoj në mënyrën më të përzemërt, mirënjohje më të thellë. Prania juaj këtu ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme, për ne, për demokratët shqiptarëe kudo që ndodhen. Ne po mbrojmë një kauzë të drejtë.

Sot parlamenti shqiptar ju e patë vetë, u dominua totalisht nga fantazma e McGonigal të Edi Ramës. Ajo që Rama kishte planifikuar, kishte planifikuar në mënyrë që të shpëtonte vetë dhe disa deputete ishin ndjerë të lënduara se, pse unë kisha thënë ditën e premte pse ai kishte bërë orgjira me zyrtarë.

Por unë çfarë u thashë? Unë u thashë se, ato janë një realitet dhe sigurisht hetimit do ti jepen. Por ato janë terciare. Kryesore është lidhja e dy tradhtarëve McGonigal, tradhtar i kombit të madh amerikan dhe Edi Rama, tradhtar i kombit shqiptar.

Tani, çështja numër 1 e parlamentit padiskutim që është komisioni hetimor parlament për një problem që ka tronditur botën, Amerikën, Shqipërinë, NATO-n dhe mbarë botën e lirë.

Është në përcaktimin tonë, vendosmërinë tonë, që ky parlament ose do të ju japë zgjidhje këtyre problemeve ose nuk do të mund të trajtojë çështje tjetër.

Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti. Por herën tjetër, do të duhet tu marrin leje ju për tu larguar nga parlamenti. Ndaj ju them, më mirë zbatoni rregullat, ligjet, respektoni të drejtat e opozitës. Janë 750 mijë zgjedhës, të drejtat e të cilëve shtypen në parlament. Ne kurrë nuk do të tolerojmë këtë. Rroftë revolucioni, rroftë opozita, rrofshi ju”, tha kreu i PD Sali Berisha në fjalën përmbyllëse.

Jashtë Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se gjithçka që ndodhi në Kuvend dhe jashtë tij ishte e pritshme.

“Unë mendoj që çdo qytetar shqiptar e kupton skenarin. Ditën që dosja Gërdeci po përparon drejt një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm për të garantuar që personat e përfshirë në atë tragjedi me autorë shtetërorë të vendosen para drejtësisë, në momentin që në Shqipëri dhe opinioni shqiptar u njoh me një provë të re, të pa kundërshtueshme, sesi jepeshin urdhrat në 21 Janar, nuk ka qenë aspak e papritur për ne, që të kishim një të përshkallëzim të marrëdhënies të personit të akuzuar për të dy këto ngjarje, për Gërdecin dhe për 21 Janarin, Sali Berisha në marrëdhënien me Kuvendin dhe institucionet. Në fakt përpjekja e tyre për të penguar punimet e Kuvendit është një përpjekje e kotë sa kohë që natyrshëm do kishe qenë mirë që deputetët sot të kishin mundësi sikurse është e parashikuar që kjo seancë ne të sjellim zërin e qytetarëve dhe problematikat që ata kanë”.

“Megjithatë ne nuk mund ta lemë Kuvendin të jetë peng, ose të keqpërdoret nga Berisha e persona të tjerë. Ne si grup parlamentar do t’i drejtohemi përsëri nesër Sekretariatit. Ne do t’i kërkojmë përsëri sekretariatit të merren masat sepse mendojmë se njëlloj sikurse një qytetar i thjeshtë i këtij vendi penalizohet për ecje me shpejtësi apo një shkelje tjetër, mendoj që edhe deputetët duhet të respektojnë rregulloren”.

Në të njëjtën kohë që brenda Kuvendit u mbajt seanca plenare jashtë saj u zhvillua protesta e radhës e organizuar nga opozita. Ashtu siç pritej në të dyja anët pati përplasje dhe debate të forta.

Berisha tha se skandali i tmerrshëm për çështjen McGonigal, që sipas tij ka përfshirë qeverinë, nuk mund të sfumohet me banalitete. Pas deklaratave të tij ku fliste për orgji, në seancën plenare u kërkua përjashtimi i Berishës për gjuhën e përdorur.

Në të njëjtën kohë edhe protesta nisi me tensione pasi nuk u lejuan që të hyjnë në seancë plenare disa prej deputetëve të Partisë Demokratike të përjashtuar

Në disa raste qytetarët janë përplasur me efektivët në përpjekje për të çarë kordonin dhe për të hyrë në Kuvend por nuk ia kanë dalë.

Kategoritë
LajmeRajoni