I nxehti apokaliptik djeg Evropën, temperatura rekord prej 44 gradë celcius në Francë. Shënohen mbi 1 mijë vdekje në Spanjë dhe Portugali

Evropa po përballet me një ‘apokalips të nxehti’ me rekorde historike të temperaturave  që pritet të thyhen sot në Francë, teksa Spanja po lufton me dhjetëra zjarre që kanë lënë të vdekur një zjarrfikës.

Paralajmërimet për nxehtësinë ekstreme janë në fuqi sot në të gjithë krahun perëndimor të kontinentit, me shifra mbi 40 gradë celcius, të parashikuara gjatë gjithë rrugës nga Faro në Portugalinë jugore deri në Mançester të Mbretërisë së Bashkuar.

Rekordet e të gjitha kohërave do të arrihen në pjesën më të madhe të Francës Perëndimore, ku temperatura më e lartë pritet të regjistrohet pranë qytetit të Bordosë, 44 gradë celcius.

Kushtet ekstreme të motit kanë shkaktuar dhjetëra zjarre, me ekuipazhet e zjarrfikësve që po luftojnë me flakët e cila ka detyruar 16 mijë njerëz të largohen nga Gironde.

David Brunner, komandanti i zjarrfikësve lokalë i cili ka punuar në rajon për më shumë se tre dekada, tha se ai “asnjëherë nuk ka parë diçka të tillë”.

Por lehtësimi do të vijë shpejt këtë mbrëmje, kur një erë e papritur perëndimore – e njohur si Galerne – do të fryjë në breg, duke bërë që temperaturat në qytetin e Biarritz të bien me 20 gradë Celsius në vetëm një orë ndërmjet orës 17:00 dhe 18:00 sipas kohës lokale.

Ndërkohë 36 zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Spanjën, njëri prej të cilëve i mori jetën një zjarrfikësi 62-vjeçar të dielën, i djegur për vdekje rreth 60 milje në jug të Leon pasi u bllokua nga flakët.

Më shumë se 1,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë nga vala e të nxehtit, thanë autoritetet mjekësore, shumica e të cilëve mendohet se kanë vdekur nga stresi i nxehtësisë.

Kategoritë
BotaLajme