I nxehti “përvëlon” Europën, pas Spanjës dhe Portugalisë, Franca dhe Britania përgatiten për temperatura ekstreme

Pas Spanjës dhe Portugalisë , të cilat tashmë prej ditësh janë prekur nga temperaturat e larta, Britania dhe Franca,  ku janë djegur 10 mijë hektarë pyje po përgatiten gjithashtu të përballen me një valë të dytë temperaturash ekstreme në më pak se një muaj.

Rritja e këtyre fenomeneve vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike, sipas shkencëtarëve, pasi gazrat që shkaktojnë efektin serë rrisin intensitetin, kohëzgjatjen dhe frekuencën e tyre. Në Francë, zjarret kanë djegur 10 mijë hektarë pyll në zonën e Bordo deri në mëngjesin e djeshëm të së martës.

Vala e temperaturave ekstreme pritet të prekë edhe Francën të paktën deri në fillim të javës së ardhshme. Temperaturat sot pritet të arrijnë në 31 deri në 36 gradë Celsius dhe në disa zona në jugperëndim pritet të arrijnë në 37-38 gradë Celsius.

Vala e të nxehtit pritet të përhapet më pas në vendet e tjera të Europës Perëndimore dhe Qendrore. Në Britani, Met Office ka lëshuar një alarm për një “valë të nxehtë ekstreme” nga e diela, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius, raporton abcnews.al.

Përveç kësaj, kompanitë e ujësjellësit u kanë bërë thirrje britanikëve që të kursejnë ujin. Temperaturat në Spanjë dhe Portugali janë mbi 40 gradë Celsius. Për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, zjarret që shpërthyen në Portugalinë qendrore gjatë fundjavës u intensifikuan të martën, duke shkaktuar evakuimin e shumë fshatrave.

Siç raportohet nga rrjetet televizive lokale, banorët dhe zjarrfikësit po përpiqen të vendosin në kontroll flakët që po kërcënojnë disa fshatra rreth 100 kilometra në veri të Lisbonës. Rreziku i zjarrit bëri që autoritetet të mbyllnin Parkun Natyror Sintra, në perëndim të Lisbonës, pasi temperaturat arritën në 43.1 gradë në Portugalinë qendrore.

“Parashikimet meteorologjike për ditët e ardhshme mbeten veçanërisht shqetësuese për sa i përket rrezikut të zjarreve”, tha në një deklaratë kryeministri portugez Antonio Costa.

Sipas qeverisë spanjolle, nga 1 janari deri më 3 korrik, në vend janë djegur 703.540 hektarë pyje, pothuajse dyfishi i numrit në krahasim me mesataren e dhjetë viteve të mëparshme.

Kategoritë
BotaLajme