I shoqëruar nga ushtarë, Netanyahu futet në një shtëpi palestineze në kampin e refugjatëve Tulkarem

Një fotografi e publikuar nga transmetuesi publik izraelit tregon ushtarët që vendosin një flamur izraelit në një nga muret e shtëpisë

I shoqëruar nga ushtarë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hyri sot në një shtëpi palestineze në kampin e refugjatëve Tulkarem në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, njoftoi media shtetërore izraelite, transmeton Aandolu.

Transmetuesi publik izraelit KAN ndau një fotografi të Netanyahut brenda shtëpisë së bashku me ushtarë izraelitë.

Sipas të dhënave të disponueshme, vizita e fundit e shpallur publikisht e Netanyahut në Bregun Perëndimor ishte në shtator 2024, kur ai vizitoi kufirin jordanez në pjesën lindore të territorit.

Vizita e tij erdhi vetëm disa orë pasi ministri izraelit i mbrojtjes Israel Katz hyri në të njëjtën shtëpi gjatë turneut të tij në zonë.

Fotografia gjithashtu tregon ushtarët izraelitë që vendosin një flamur izraelit në një nga muret e shtëpisë.

Netanyahu njoftoi gjithashtu një operacion të ri ushtarak në Bregun Perëndimor, pas një serie shpërthimesh që goditën autobusë në Izrael një ditë më parë.

Të enjten, pajisje të shumta shpërthyese shpërthyen në autobusë në Bat Yam dhe Holon, pranë Tel Avivit, duke shkaktuar zjarre, por pa të lënduar. Policia izraelite ende nuk ka përmendur asnjë grup palestinez për sulmet.

“Ne po shkatërrojmë rrugë të tëra, po eliminojmë militantët dhe unë kam udhëzuar përforcime në Bregun Perëndimor së bashku me operacione shtesë ushtarake”, ka thënë Netanyahu në një deklaratë të regjistruar nga Tulkarem, të publikuar nga zyra e tij.

Ai ka shtuar se fushata ushtarake synon të çmontojë infrastrukturën e fraksioneve të armatosura palestineze.

Për gati dy muaj, forcat izraelite kanë kryer operacione ushtarake në kampet e refugjatëve në veri të Bregut Perëndimor, veçanërisht në Jenin, Tulkarem dhe Tubas.

Më herët sot, ushtria izraelite njoftoi vendosjen e tre batalioneve shtesë në Bregun Perëndimor pas direktivës së Netanyahut për një “operacion të fortë”.

Kategoritë
BotaLajme