I vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka vazhduar paraburgimin pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila për lajmi.net ka thënë se të dyshuarve i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.R dhe SH.K,  Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 26.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit të njëjtëve edhe për dy (2) muaj, për secilin veç e veç.”, ka thënë Gashi.

Ajo ka thënë se paraburgimi i është vazhduar për dy muaj edhe tre të dyshuarve të mitur.

“Po ashtu lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 23.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit tre të miturve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë janë arrestuar edhe persona të tjerë të dyshuar, ndërsa rasti kishte nxitur edhe protesta e reagime të shumta ndaj institucioneve. /Lajmi.net/

Kategoritë
Lajme