Ibrahimoviç nuk i beson Kroacisë sonte: Tashmë shkruhet në yje se kush do ta fitojë Botërorin

Sulmuesi i njohur Zlatan Ibrahimović nuk beson shumë në kombëtaren e Kroacisë sonte dhe pret që Lionel Messi të bëhet kampion i ri i botës me Argjentinën.

Argjentina dhe Kroacia takohen sonte në gjysmëfinale të Kupës së Botës, ndërsa Franca dhe Maroku janë në pjesën e dytë të shortit.

Sipas Ibrahimović-it, në yje shkruhet se Messi do ta ngrejë trofeun në paraqitjen e tij të fundit për Argjentinën.

“Unë mendoj se tashmë është shkruar në yje se kush do të fitojë. E dini se kush e kam fjalën. Mendoj se Messi do ta ngrejë trofeun, është e shkruar në yje”, tha Ibrahimović, i cili luajti në dy kampionate botërore.

Ibrahimović i përshkroi Kroacinë dhe Francën si kombe të forta futbolli, por beson se triumfi i Argjentinës sonte është i pashmangshëm.

Ai ka prekur edhe Marokun, për të cilin pretendon se nuk është një surprizë aq e papritur, pasi është një kombëtare e fortë.

“Unë nuk mendoj se është një surprizë e madhe sepse e dija se ata ishin të mirë edhe para Kupës së Botës. Në Kupën e Botës çdo gjë mund të ndodhë. Fakti që ata arritën në gjysmëfinale është ndoshta pak surprizë, por mbani mend se është një ekip i mirë, një komb i mirë. Dhe unë mendoj se njerëzve u pëlqejnë këto surpriza. Njerëzit kënaqen kur ndodhin surpriza sepse marrin një nxitje të veçantë të adrenalinës”, shton Zlatan.
Ndryshe, Ibrahimović aktualisht ndodhet me Milanin e tij në Dubai, ku po përgatitet për vazhdimin e sezonit. Lajmi i mirë është se Ibrahimovic më në fund është rikuperuar nga lëndimi dhe është gati të luajë nga janari, kur të rikthehet Seria A.

Kategoritë
Sport