Identifikohen shqiptarët e shpallur në kërkim për vrasjen e 40-vjeçarit në Athinë

Autoritetet greke kanë mundur të identifikojnë disa nga anëtarët e grupit kriminal që u përfshinë në sherrin e rëndë një natë më parë në Athinë, ku mbeti aksidentalisht i vrarë 40-vjeçari Pëllumb Islami.

Mediat greke shkruajnë se personi që hapi zjarr është kreu i një grupi me 10 anëtarë, të cilët dyshohet se janë arratisur në Shqipëri, për t’i shpëtuar policisë helene.

Autoritetet greke janë në vënë në kërkim të personave që janë pjesë e dy bandave, të dyja shqiptare dhe rivale me njëra-tjetrën, ndërsa njihen si persona me rrezikshmëri tepër të lartë. Ata dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e drogës, të qenieve njerëzore, si dhe gjobëvënie.

Një natë më parë, ata janë futur në një lokal në Athinë, dhe pas një sherri të ashpër, njëri prej tyre ka qëlluar 9 herë me armë, dhe një prej plumbave ka kapur aksidentalisht 40-vjeçarin, duke i marrë jetën në vend.

Viktima nuk kishte asnjë lidhje me personat në fjalë, ndërsa raportohet se ishte duke parë ndeshjen me shokët e tij. Ai punonte si hidraulik në shtetin helen, ndërsa ka qenë vëllai i tij i cili e ka identifikuar atë në morg.

Kategoritë
BotaLajme